Bibliotekat pasurohen me Veprën e Zgjedhur 3-vëllimesh të Musine Kokalarit

Bibliotekat pasurohen me Veprën e Zgjedhur 3-vëllimesh të Musine Kokalarit
Loading...

Në përmbyllje të vitit kulturor kushtuar veprës dhe jetës së Musine Kokalarit, Biblioteka Kombëtare dhe Ministria e Kulturës mundësuan botimin në 3 vëllime të Veprës së zgjedhur të Musine Kokalarit. Kjo seri përmban respektivisht:

Vepra e zgjedhur 1 : Siç më thotë nënua plakë dhe Nënua plakë në Romë; [botim anastatik]

Vepra e zgjedhur 2: … sa u tund jeta [botim anastatik]

Vepra e zgjedhur 3: Jeta ime universitare [përthyer nga Arta Marku, me parathënie studimore nga studiuesit italianë Mauro Geraci dhe Simonetta Ceglie; një ese nga Visa Zhiti]

“Qysh me librin e saj të parë, botuar më 1939, nën titullin nga më origjinalët për prozën shqipe të deriatëhershme, ‘Siç më thotë nënua plakë’, regjistër muzikor që shenjon tonalitetin e lexim-interpretimit të dhjetë pjesëve, lexuesit e zonjushë Kokalarit u gjendën përballë një partiture të ligjërimit femëror dhe botës femërore.  Gra të çuditshme, që vijnë tërë ditës nëpër shtëpi si miza dheu, punët e pambarimta e të përsëritshme deri në vdekje, monologët eksistencialë, dialogët tragjikë mes shoqesh, mikeshash, vjehrrash e krushkash,  burra të heshtur, gati të padukshëm, që hyjnë e dalin si butafori dhe perëndi në jetët e këtyre amazonash qytetase, ndërtojnë skenat e një jete të mbërthyer në muzikën e gjuhës dhe në palëvizshmërinë e traditës, të cilën, autorja, intuitivisht, e rrëfen në të tashmen e përjetshme. Duket sikur ka qenë gjithnjë kështu. Dhe mbi të gjitha, sikur ato kanë folur gjithnjë ashtu, siç dinë vetëm ato të flasin, të papërsëritshmet qenie femërore të Gjirokastrës”, shprehet Persida Asllani, drejtorja e Bibliotekës Kombëtare.

Studimet për letërsi në Romë (në vitet 1937-1941) vetëm sa do ta vetëdijësojnë edhe më shumë Musine Kokalarin për shkrimin e letërsisë, sikundërse ia bëjnë më të thellë qenien identitare. Në përballjen mes dy botësh jo vetëm kulturalisht kontrastive, studentja e etur për dije nga Shqipëria e varfër dhe tradicionale hetonte, me forcën e mendjes dhe rrahjet e zemrës, joshjen dhe përplasjen shenjuese mes botëkuptimesh, ndjesish, identitetesh.  Intuitive në vëzhgimin e botës dhe të tjetrit, ajo e kuptoi se rrëfimi i “botës së tjetrit” duhej zhvilluar në dy rrafshe po aq të dallueshme, ku teksa të skicohej thelbi kolektiv e identitar tek njëri, t’i hapej udhë përsiatjes e përjetimit individual, e mes individësh, te tjetri. Këtij kompleksiteti kërkimi e shkrimi mund t’i përgjigjeshin, sërish, vetëm dy figura femërore, alterego të njëra-tjetrës, lëndë nga e njëjta lëndë, frymë nga e njëjta frymë: Nënua plakë udhëton drejt Romës së madhe, Musine Kokalari nis jetën universitare në Romën e përjetshme. “Shqipëria e pa kohë”, albanizma e patjetërsueshme vëzhgon dhe gjykon botën në truallin e tjetrit. Ndërsa studentja shqiptare, teksa rritet kulturalisht së brendshmi në “Qytetin e përjetshëm” lidh në rrëfim intimen dhe kolektiven, personalen dhe shtetëroren, duke dëshmuar në subtilitetet e rrëfimit të  jetës përballjen e vet etike  me zvetënimin e shpirtit modern fashist.

Me një fatum të ngjashëm, shkruar në kohë të përafërt, Nënua plakë në Romë dhe La mia vita universitaria (Jeta ime univeristare)  janë projeksion i njërit tekst te tjetri, janë shumësia e unit femëror të shpërvjelë trajtave të larmishme të fiksionit. Autorja e tyre, shkrimtarja tashmë bilingue Musine Kokalari, synon me vetëdije pikëtakimet gjithnjë kërshëritëse mes antropologjikes dhe shkrimores, mes dëshmueses dhe sprovueses, përmes një ligjërimi sërish ekskluzivisht femëror. Nënua plakë dhe Studentja në Romë, mbivendosen e shtresëzohen në shkrim e në jetë, për të mbërritur, fatlumësisht, te vetvetja.

“Të lexosh sot Musine Kokalarin do të thotë të humbasësh në dashurinë e fjalës, ashtu siç të ka ndodhur më parë duke lexuar Kutelin. Do të thotë të ritakosh Kako Pinon e përjetshme, me stoli nusërimi e me të pathëna të mëdha, siç e ke takuar më parë kur lexoje Gjirokastrën e përjetshme të Kadaresë. Do të thotë të zbulosh Gruan e përjetshme të Musinesë, në zërat femërorë të gjysheve e mbesave, nënave e bijave, nuseve e vjehrrave, që zotërojnë prej kur nuk mbahet mend pushtetin akohor të ligjërimit dhe nuk vjetrohen dot kurrë: kërkojnë nuse, martojnë vajzat, iu binden burrave por edhe i bëjnë t’u binden, të bëjnë dasëm, një dasëm të madhe, sa e gjithë bota të thotë e mahnitur se u bë dasëm ‘…sa u tund jeta’. Prandaj dhe libri i saj i fundit mban këtë titull, shqiptimin e një ëndrre.

Kjo seri e Veprës së zgjedhur u botua për të përmbushur mungesën e librave të Musine Kokalarit në bibliotekat e vendit. Shpërndarja e përkujdesur nga Bibliotekja Kombëtare do të mundësojë kështu një pasurim të bibliotekave publike dhe universitare jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, Rajon dhe pranë katedrave albanologjike në Europë”, shprehet më tej Persida Asllani.

27 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Kulturë

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar