Derbi i Manchesterit/ United kërkon të ‘mbajë gjallë’ garën për titull

Derbi i Manchesterit/ United kërkon të ‘mbajë gjallë’ garën për titull
Loading...

Një ecuri e tillë në mënyrë të kuptueshme ka sjellë edhe epërsinë e plot 8 pikëve për “sky blues” në Angli, kështu që duke parë edhe disfatën e Chelsea-t në derbin e Londrës me West Ham-in, këtë herë bëhet fjalë qartësisht për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit 2017-18 në Premier League. Është një rivalitet ndryshe nga dueli i famshëm Liverpool-Manchester United, sidomos për të gjithë ata që kanë lindur në këtë qytet, një rivalitet më pozitiv dhe një ndeshje vërtet e veçantë, sigurisht për shkak edhe të pranisë së trajnerëve të tillë si Mourinho dhe Guardiola në drejtimin e skuadrave respektive.

Trajneri portugez natyrisht i ka bërë “red devils” më të mirë sesa sezonin e kaluar, por në krahun tjetër edhe “citizens” falë trajnerit spanjoll janë shumë më lart sesa edicionin e shkuar, madje përpara humbjes deri diku të kuptueshme në Ukrainë në Champions me Shakhtar-in, City numëronte jo pak por 20 fitore radhazi në të gjithë kompeticionet, statistikë ku gjithsesi përfshihet edhe kualifikimi me 11-metërsha në Kupën e Ligës ndaj Wolverhampton Wanderers.

Dy pikët e vetme që mungojnë në kampionat, u humbën në Etihad me Evertonin 3 muaj e gjysmë më parë, sidoqoftë gjërat që nga ajo kohë kanë ndryshuar vërtet shumë dhe skuadra tashmë beson verbërisht në skemat e 46-vjeçarit katalanas, deri në atë pikë sa Raheem Sterling të konsiderohet si golashënuesi më i mirë i ekipit, me 9 gola, në të njëjtin rang me golashënuesin më të mirë të gjitha kohërave në historinë e klubit, sulmuesin argjentinas Sergio Aguero.

Me një mesatare realizimi 3 gola për ndeshje, 46 gola të shënuar dhe dyshen tjetër Gabriel Jesus-Leroy Sane, që ka kontribuar me 14 gola të tjerë, City është shndërruar në makinë të vërtetë sulmuese, megjithëse për hir të së vërtetës ky pritet të jetë testi i mirëfilltë, sidomos pas vuajtjeve në tre ndeshjet e fundit në kampionat, me kundërshtarë të tillë si Huddersfield Town, Southampton dhe West Ham United, ku “qytetarët” ia dolën mbanë për t’i mbyllur të 3 takimet me rezultatin 2-1, për më tepër në dy prej tyre duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë.

David Silva dhe Kevin De Bruyne deri tani kanë shkëlqyer me nga 8 asiste secili, megjithatë duket se është gati për këtë sfidë, ndërkaq në dyshim mbeten vetëm 2 mbrojtësit Vincent Company dhe Fabian Delph, gjithsesi në prapavijë dihet jashtë vazhdojnë të qëndrojnë gjithashtu edhe dy lojtarë tepër të rëndësishëm si John Stones dhe Benjamin Mendy.

United në krahun tjetër paraqitet në këtë duel me ecurinë më të mirë në 11 muajt e fundit në kampionat, 4 fitore rresht, sidoqoftë “djajtë e kuq” nuk do të kenë në dispozicion lojtarin e tyre më të mirë Paul Pogba, që u ndëshkua me karton të kuq në klasiken me Arsenalin, për një ndërhyrje krejtësisht absurde. Me ndihmën e De Gea-s dhe falë gjetjes taktike të minutave të para Mourinho zgjidhi shumë mirë sfidën me Arsenalin, gjithsesi këtë herë trajneri luzitan është përgatitur për duelin e radhës me Guardiolën, me të cilin ka humbur 8 dhe fituar vetëm 4 në 19 përballjet ndërmjet tyre.

Arma e fortë e Mourinho-s dihet është mbrojtja, por mbi të gjitha “red devils” kanë fituar 100% të pikëve në shtëpi, duke marrë vetëm një nga nëntë golat e pësuar në Old Trafford. Lajm i mirë për trajnerin portugez është kthimi i dy lojtarëve Zlatan Ibrahimoviç dhe Phil Jones. Nemanja Matiç pritet të luajë nga minuta e parë, ndërsa në dyshim mbetet Fellaini.

Disfatën e vetme në “Teatrin e Ëndrrave” në 42 ndeshje në të gjithë aktivitetet 54-vjeçari nga Setubali e ka pësuar pikërisht edicionin e kaluar me “qytetarët”, gjithsesi ky takim përbën të vetmin rast kur City i Guardiolës ka arritur të shënojë në katër përballjet me Manchester-in e Mourinho-s. Diferenca e madhe në centimetra, mbrojtja e fortë si dhe forca fizike mund të mjaftojnë për të marrë 3 pikët dhe për të hapur kampionatin.

Ky është derbi i parë që nga prilli i vitit 2013, që i shikon këto dy skuadra në krye të Premier League-s, ndërkaq ndeshja do të arbitrohet nga 32-vjeçari Michael Oliver, që 21 muaj më parë ka qenë gjyqtar në suksesin 1-0 të Manchesterit të Van Galit ndaj Sitit të Pelegrinit.

10 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Sport

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar