Editorial

Pse nuk u bashkuan Rilindja me BESË dhe Aleanca për Shqiptarët?

Shkruan: Fitim Dika
29.11.2016

LR-PDSH është parti e dalë nga PDSH dhe e formësuar në Strugë. Ka struktura solide në gjithë vendin me ndikim te nacionalistët shqiptarë, që Turqinë e shohin thuajse po aq armike sa edhe sllavët.

UNITETI është parti e dalë katërcipërisht nga strukturat e BDI, por pak e rëndësishme për të vendosur për fatin e ardhshëm të zgjedhjeve. Me struktura solide vetëm në Dibër dhe rrethinën e Shkupit.

RDK i erdhi fundi që nga humbja në zgjedhjet lokale në Gostivar përball Nevzat Bejtës. U pa se shkonte drejt pepedizimit, pavarësisht se atëherë shumë simpatizantë të kësaj partie më sulmuan. Dy RDK, dy Persona. Me strukturë solide vetëm në Gostivar.

Lëvizja BESA jo vetëm që ka struktura solide në gjithë territorin, por është kthyer në tmerrin e BDI në Shkup dhe Kumanovë. Pikërisht aty ku njihet edhe si vatra dhe qendra e partisë në pushtet BDI. Peshku kalbet nga koka.

Pra titulli defakto duhet të jetë: pse nuk kishte bashkëpunim mes LR-PDSH dhe Lëvizjes BESA?

Struktura ose lideri

LR-PDSH është parti lider, ngjashëm si PD e dikurshme e Sali Berishës ose BDI e Ali Ahmetit. E thëna e njohur e Majakovskit (në poemën e Vladimir Iliç Lenin) “ne themi PARTI dhe nënkuptojmë LENIN,” është përvetësuar nga partitë e lartëpërmendura. Që të jemi të qartë, kjo nuk përbën ndonjë gabim trashanik. LR-PDSH nuk ka kuptim pa liderin e saj të mirëartikuluar dhe orator Ziadin Sela.

Lëvizja BESA nuk është parti-lider. Është e rrallë në historinë shqiptare që një parti formohet, duke e pasur strukturën e saj, më të fortë sesa lideri. Të thuash si tipike perëndimore. Pra nëse LR-PDSH është parti-lider, Lëvizja BESA është parti ku vendimet i merr kryesia qendrore.

Në këtë rast bëhet shumë e vështirë dhe debatet e bashkëpunimit zgjasin muaj të tërë. Nuk mund të kënaqet lideri i një force politike me strukturat e shumta të një partie tjetër.

Nacionalizëm vs nacionalizëm

Nacionalizmi i Ziadin Selës është kryesisht anti sllav dhe anti turko-arab me ndikime nga historiografia komuniste. Nacionalizmi i Lëvizjes BESA është nacionalizëm kundër sllavëve dhe jokonformiste me historiografinë shqiptare.

Vetëbesimi

Pavarësisht se në popull, njëherësh u shfaq se BESA është fajtori i mosbashkëpunimit opozitar, duke mos pranuar ndarjen e listave ? mes saj dhe RDK dhe LR-PDSH, të inicuar edhe nga VETËVENDOSJA, më pas u vërtetua se pse BESA kryente me të drejtë pragmatiste ekuivoke.

Ajo kishte në dorë gjysmën e RDK që kërkonte 33% të pushtetit. Kishte në dorë Arben Labënishtin që mund ti rrëmbejë një përqindje solide të votuesve struganë, si dhe duket se shumë liderë nën hije akoma mund ti bashkangjiten BESËS. Është parti që paska menduar prej kohësh për lëvizjes politike dhe që ka vetëbesim në vetëvete. Një lider i artikuluar mirë si Ziadin Sela, mund ti bënte dëm lidershipit të saj. Askush përveç BDI nuk mund ti masë forcat me të.

Si mund të bashkëpunonte BESA me LR-PDSH kur vetëm pas tre muajsh janë zgjedhjet lokale. Do bënte kurban BESA Labënishtin për hir të Ziadinit? Po listat..?

 

Planprogrami

LR-PDSH vetëm para pak ditësh ka përpiluar një planprogram dhe atë shumë larg asaj të BESËS që ka shkruar detajisht për secilin problem. Secili dikaster në BESA ka dhjetëra anëtarë.

 

Populli

BESA si asnjëherë më parë, brenda dy vjetësh si ekziston si parti ka arritur të stërmbushë sallën Boris Strajkovski, duke e sfiduar BDI. Kurrë, asnjë parti tjetër shqiptare nuk mund ta sfidonte BDI-në si BESA. Atëherë pse të lejonin që përballë gjithë asaj turme njerëzish, ti “manipulonte mbrapsht” duke i bërë për vete oratorin Ziadin Sela?
LR-PDSH, UNITETI dhe RDK u gëzuan me mbushjen e sallës në Gostivar.

Nga mosbashkëpunimi më shumë është prekur LR-PDSH. Besa ndjehet më e qetë!

A ka dorë BDI në gjithë këtë mesele?

JO. Ali Ahmeti duket i lodhur nga politika dhe njerëzit që e rrethojnë – “Honest Jago” (I ndershmi Jago). Kështu thoshte Shekspiri duke ironizuar për personazhin të cilin ai e krijoi për të mishëruar pabesinë dhe lojën e dyfishtë. Ai në vetëvete kërkon pensionimin ose sëpaku daljen në opozitë. Megjithatë ka frikë nga destabiliteti, por sikur dëshiron t’ua japë shansin të “pasprovuarve” dhe të “rinjve”, se ta shihnin vetë se nuk është aq e thjeshtë.

PDSH mendon të rruajë hipotekat. Pak shpreson se do ishte “lideri i dashur i opozitarëve shqiptarë.”

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar