Editorial

Rusia krijon ‘Ushtrinë kozake të Ballkanit’

Shkruan: Shaban MURATI
19.10.2016

Shqiptarët kanë proverbin e vjetër “ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë”, dhe janë po ata, që e harrojnë shpesh herë proverbin e tyre duke bërtitur më shumë për ujkun, që është larg, se për çakallin, që e kanë afër. Kjo mund të jetë shpjegimi i vetëm pse në gjithë strukturat mediatike shqiptare nga Tirana në Prishtinë nuk kanë thënë gjysmë fjalë për njësitë paramilitare panortodokse, që po krijon Rusia në rajonin e Ballkanit. Një njësi e tillë paramilitare është edhe “Ushtria kozake e Ballkanit”, e krijuar muajin e kaluar në Kotorr të Malit të Zi, dhe e përuruar në një ceremoni publike fetaro-politike, ku morën pjesë mercenarë e vullnetarë ortodoksë nga Rusia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Natyrisht pjesën dërrmuese dhe drejtuese e bënin forcat vullnetare e mercenare ruse, ku pjesa më e madhe ishin njësitet e motoçiklistëve të quajtur “Ujqit e natës”, të cilët janë një instrument zyrtar presioni rus në vendet e tjera.

“Ushtria kozake e Ballkanit” përbëhet nga mercenarë, të cilët kanë luftuar në Bosnje, në Kosovë, në Ukrainë, në Moldavi, e deri në Nagornij Karabak. Pra, janë forca ushtarake apo paraushtarake, të cilët kanë si profesion luftërat mercenare në emër të ortodoksisë dhe Rusisë. Jo rastësisht si ataman udhëheqës për Ballkanin u caktua gjenerali rus, Viktor Zaplatin, i cili ka luftuar kundër boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve në luftërat e Bosnjë-Hercegovinës dhe ka qenë 16 vjet përfaqësues i Federatës Ruse në Serbi. Në gjithë paraqitjet ata u shfaqen me uniforma ushtarake dhe në fjalimet e tyre e cilësojnë veten “luftëtarë të ortodoksisë” dhe siç shkruante agjencia amerikane e lajmeve As. Press në 13 tetor, motoçiklistët rusë pro Putinit dhe vullnetarë nga Rusia, Serbia, Mali i Zi, Ukraina Lindore dhe Bosnja, krijuan në Mal të Zi “ushtrinë kozake të Ballkanit për të luftuar për interesat kristiane ortodokse”. Një protagonist aktiv i krijimit të “ushtrisë kozake të Ballkanit” është kisha ortodokse ruse dhe serbe. Themelimi i saj u bë në mjediset e peshkopatës ortodokse të Kotorrit, ku peshkopi Momçillo Krivokapiç i bekoi dhe i falënderoi për misionin, që ata “të ruajnë dhe të mbrojnë fenë ortodokse”. Koloneli serb Vojislav Vidakoviç, që është atamani kryesor për Serbinë dhe Malin e Zi, shpalli se anëtarët e “ushtrisë kozake të Ballkanit “janë luftëtarë të Krishtit”, kurse gjenerali rus Genadij Temjakov deklaroi se “Kombi ortodoks është unik”.

Karakteri ushtarako-fetar i këtyre njësive paraushtarake është qartësisht i afishuar dhe pyetja kryesore, që lind, është se përse Rusia dhe organet e saj të specializuara po krijojnë këtë ushtri kozake të Ballkanit “për të luftuar për interesat ortodokse”. Janë mercenarë rusë, që kanë luftuar përkrah ushtrisë dhe forcave serbe edhe në Bosnje, edhe në Kroaci, edhe në Kosovë. Aktualisht janë ngritur 26 qendra të “Ushtrisë kozake të Ballkanit” në të gjithë Ballkanin dhe njëra prej tyre është edhe në Veriun e Kosovës. Kjo ushtri u shpall në Mal të Zi me një objektiv të qartë për një ndërhyrje direkte në jetën politike dhe në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 16 tetorit në Mal të Zi. Ajo u shfaq si një forcë e re antiatlantike për të mobilizuar forcat dhe grupet proruse dhe proserbe kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Moska po investon dhe financon mjete kolosale në Mal të Zi për të fuqizuar lëvizjen politike antiperëndimore dhe antiatlantike, me qëllim që forcat proruse të marrin pushtetin në Podgoricë dhe të bllokojnë e ndërrojnë kursin e integrimit atlantik. Një nga instrumentet kryesorë të Rusisë në këtë strategji është kisha ortodokse serbe në Mal të Zi, që drejtohet nga peshkopi i njohur për antishqiptarizmin dhe antiatlantizmin e tij, Amfilohije. Kisha ortodokse serbe në Mal të Zi po përdoret nga Rusia si një organizatore e krijimit të njësive paraushtarake “kozake të Ballkanit” me mercenarë dhe vullnetarë nga të gjitha shtetet ortodokse të rajonit. Rusia po u jep devizë fetare dhe frymëzim fetar ortodoks aksioneve të njësiteve dhe organizatave të krijuara prej saj në Ballkan. Vetë emri i kësaj njësie mercenare tregon se ajo ka në planet dhe mandatin e veprimit të saj gjithë Ballkanin, sepse Moska kërkon të fusë nën ndikimi e vet të gjithë rajonin.

Krijimi i saj duhet parë në kuadrin e intensifikimit të rolit të kishës ortodokse ruse si instrument ndër kryesoret i ambicieve ekspansioniste të Kremlinit nëpër botë. Siç shkruan profesor Filip Kovaçeviç: “Një nga komponentët bazë të planit gjeopolitik të përgjithshëm të Putinit është rritja dhe intensifikimi i lidhjeve fetare ortodokse midis Rusisë dhe popujve ortodoksë të Ballkanit”. Krijimi i “ushtrisë kozake të Ballkanit” duhet parë si hap i mëtejshëm në planet e Rusisë për shtrimin e rrugës së krijimit të një aleance politike të shteteve ortodokse të Ballkanit, e udhëhequr nga Rusia, dhe nën kontrollin e saj. Për këtë qëllim diplomacia ruse, kisha ortodokse ruse dhe organet e specializuara ruse, po punojnë prej disa vitesh në mënyrë intensive për të ndërtuar bazën për një bllok të ri shtetesh në Ballkan, i cili do të ketë për emërues të përbashkët përkatësinë e tyre ortodokse me qendër Moskën. Një shkallëzim politik dhe diplomatik drejt këtij objektivi ishte dhe deklarata e përbashkët, që u nënshkrua në qershor të këtij viti në Moskë, me nismën e partisë sunduese “Rusia e bashkuar” me disa parti politike nga vendet e Ballkanit, që merrnin pjesë në kongresin e 15 të partisë së Putinit. Kjo deklaratë politike është platforma e nismës ruse të krijimit të Aleancës së shteteve ortodokse në Ballkan nën drejtimin e Rusisë. Atë e nënshkruan parti politike nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, nga “Serpska Republika” e Bosnjës dhe nga Bullgaria. Sipas portalit serb” B92″ dokumenti i nënshkruar kërkon krijimin e një territori ushtarak neutral në Ballkan me shtetet ortodokse të mësipërme,. Një muaj përpara deklaratës së Moskës, partia qeveritare ruse e Putinit “Rusia e Bashkuar” nënshkroi në Mal të Zi një deklaratë dypalëshe me partinë kryesore proserbe të opozitës, Partia Popullore Demokratike, ku është futur ideja e krijimit të aleancës së shteteve neutrale ortodokse. Në këtë ceremoni politike të dy partive politike merrte pjesë edhe peshkopi i zi i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfilohije.

Diplomacia ruse, kisha ortodokse ruse dhe organet e specializuara ruse kanë shtuar veprimtarinë në Ballkan me forcat politike antiatlantike në vendet me popullsi ortodokse. Qëllimi është që këto forca antiatlantike dhe antiperëndimore të bëhen baza e bllokimit të integrimit atlantik dhe e krijimit të bllokut të ri prorus. Është lehtësisht e kuptueshme se krijimi i këtij blloku të shteteve ortodokse në Ballkan nuk është gjë tjetër veçse një aleancë e re politiko- ushtarake e drejtuar nga Rusia. Katalizator i bashkimit në këtë aleancë po përdoret ortodoksizmi, i cili paraqitet si doktrina ideologjike, morale dhe strategjike rajonale për shtetet ortodokse. Aleanca e shteteve neutrale ortodokse përfshin Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, dhe “Serpska Republikën” e Bosnjës, që nuk janë ende në NATO, dhe ka si qëllim pikërisht bllokimin dhe ndalimin e çdo kërkese apo rryme në këto shtete për anëtarësim në Aleancën Atlantike. Jo rastësisht është zgjedhur edhe termi “neutralitet ushtarak” në Ballkan, në një kundërvënie të qartë ndaj integrimit atlantik dhe euroatlantik të shteteve ortodokse të rajonit. Zbatimi i projektit rus të “shteteve neutrale ortodokse” në Ballkan ka nisur në Serbi, ku Moska imponoi për herë të parë doktrinën zyrtare të neutralitetit ushtarak për të bllokuar çdo hyrje të mundshme të vendit në NATO. Sapo Serbia u anëtarësua në programin e NATO-s “Partneritet për Paqe” në vitin 2006, Rusia i imponoi në vitin 2007 udhëheqjes serbe adoptimin zyrtar të doktrinës së neutralitetit ushtarak, e cila ndalon ligjërisht Serbinë që të bëjë hapa për anëtarësim në NATO: Neutraliteti ushtarak i Serbisë është një koperturë doktrinare ruse për të mbuluar lidhjet direkte ushtarake të Serbisë me Rusinë.

Me gjithë këtë të ashtuquajtur neutralitet zyrtar, Serbia ka marrë statusin e shtetit vëzhgues në organizatën ushtarake të drejtuar nga Rusia, që quhet Organizata e Sigurimit Kolektiv. Serbia i ka dhënë Rusisë një bazë ushtarake në qytetin e Nishit dhe po përgatitet t’i japë një bazë tjetër ushtarake në Vojvodinë. Nga viti 2014 Serbia po zhvillon manovra ushtarake në territorin e saj me forcat desantuese ruse, të cilat natyrisht përgatiten në terrenin e Ballkanit jo për neutralitet. Mozaiku i kërcënimit dhe i rrezikut rus në Ballkan është i kompozuar. Vetëm idiotët e dobishëm të Rusisë në Ballkan, dhe ata që financohen nga Moska, nuk e shohin ose bëjnë sikur nuk e shohin. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis programit politik të krijimit të aleancës së shteteve ortodokse të Ballkanit dhe krijimit të “ushtrisë kozake të Ballkanit”. Të dyja bashkë janë pjesë e strategjisë së politikës, të diplomacisë dhe të organeve të specializuara ruse për të vendosur influencën e Rusisë në rajonin e Ballkanit, duke operuar në jetën e popujve të çdo shteti ballkanik, me çdo mjet, që nga presioni psikologjik, kibernetik, propagandistik e politik, e deri tek ai elektoral, policor e ushtarak. Rusia po avancon me metodat saj klasike dhe moderne, të hapura dhe të nëndheshme, për të depërtuar në udhëheqjet politike të shteteve ballkanike.

Është një rrezik, që po konturohet gjithnjë e më qartë dhe po merr forma çdo ditë e më kërcënuese. Vetë shpallja e një strategjie fetaro-politiko-ushtarake paralajmëron situata dhe zhvillime të turbullta në krejt rajonin. Është një rrezik, që duhet të zgjojë alarme rajonale dhe atlantike, sepse çdo kryqëzatë me flamur dhe devizë fetare do ta hidhte Ballkanin në ferrin e një konflagracioni të gjerë rajonal. Ish kryeministri suedez, Karl Bildt, e ka bërë paralajmërimin për rrezikun e madh ortodoks rus. Janë zhvillime, që duhet të tërheqin sidomos shqetësimin e kombit shqiptar, sepse deviza e aleancave ushtarake ortodokse apo e “ushtrive kozake ruse” të Ballkanit do të ketë në plan të parë goditjen e interesave të kombit shqiptar e në radhë të parë Kosovën. Këtë duhet ta kuptojnë edhe levantinët shqiptarë, që nga Tirana e deri në Prishtinë, të cilët kanë katër vjet, që po bërtasin më shumë se serbët për luftëtarët e huaj shqiptarë në Siri, sikur janë ata 40 shqiptarë nga Shqipëria dhe 100 nga Kosova e Maqedonia, që i janë kundërvënë në Siri ndërhyrjes ushtarako-ajrore të SHBA, të NATOs, të Turqisë, të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, të forcave ushtarake të Rusisë, etj. Janë këta levatinë, që i japin shkas dhe material Serbisë të pompojë në të gjitha zyrat diplomatike europiane rrezikun nga shqiptarët myslimanë të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Janë këta levantinë, që kanë katër vjet që marrin sponsorizime të majme, madje edhe nga Serbia e Greqia, për të bërë konferenca dhe relacione, ku rreziku më i madh në Ballkan dalkan disa shqiptarët, që kanë ikur në Siri. Është një zhurmë e telekomanduar, e cila synon të largojë vëmendjen nga rreziqet imediate, që janë dhe po shtohen në vetë Ballkanin për kombin shqiptar dhe në radhë të parë për Kosovën. Në rastin më të butë do të cilësoheshin naivë këta levantinë, të cilët nuk folën kurrë për mijëra mercenarët serbë, që luftuan përkrah Gadafit apo që po luftojnë sot përkrah Asadit. Ata nuk kuptojnë, ose financohen që të mos kuptojnë, se rreziku ekzistencial për Kosovën vjen nga Serbia dhe nga Rusia, nuk vjen nga Siria dhe Lindja e Mesme, pavarësisht se dhe terrorizmi është rrezik ndërkombëtar. Në vend që të gërmojnë apo qëmtojnë me lupë nëpër trevat shqiptare, do të bënin mirë të shqetësohen për aleancat e shteteve ortodokse dhe për ushtritë dhe bandat mercenare, që Rusia po shpërndan nëpër Ballkan. Për freskim të kujtesës kombëtare: kozakët rusë i kemi parë ta vringëllijnë shpatën kundër shqiptarëve në territorin e Shqipërisë në republikën serbe të Mirditës në 1921 dhe në vendosjen e Ahmet Zogut në pushtet në 1924. Mos harroni se Kosova është objektivi i tyre numër një.

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar