Fjalimi historik i Afrim Gashit që i dha fund regjimit Gruevski!

Fjalimi historik i Afrim Gashit që i dha fund regjimit Gruevski!
Loading...

Fjalimi i Kryetarit të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi në marshin protestues gjithëshqiptar me 13.06.2015:

 

 

Një ditë të bukur vere, pikërisht para 52 viteve dhe para më shumë se 200 mijë njerëzve në Uashingtonin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës një zezak do ta tundonte gjithë botën me thirrjen e tij “Unë kam një ëndërr.”

Ishte kjo ëndrra e të madhit Martin Luter King, që u realizua pas plot 45 viteve kur në Shtëpinë e Bardhë për president të SHBA-ve u zgjodh një pinjoll i Kingut, presidenti aktual amerikan Barak Obama.

 

Të nderuar vëllezër e motra shqiptare, të dashur miq, shokë, veprimtarë e familjarë,

Ju të nderuar që keni ardhur sot nga të gjitha skajet e Maqedonisë që ta madhështoni këtë marsh protestues,

 

Edhe ne sot, të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, jemi mbledhur tok në këtë shesh e përpara kësaj qeverie, që pa turp e drojë dhe duke qenë të bindur se jemi në të drejtën tonë historike, t’i themi këtij shteti:

 

NUK E DUAM KËTË MAQEDONI.

 

Nuk e duam këtë Maqedoni që shqiptarin e trajton si të keqe të domosdoshme.

Nuk e duam këtë Maqedoni që na vret në Bit-Pazar, në Tetovë, në Brodec, në Radushë dhe, së fundi, në Kumanovë.

Nuk e duam këtë Maqedoni që na gjykon në Sopot.

Nuk e duam këtë Maqedoni që na gjykon me burg të përjetshëm si në rastin “Monstra”.

Nuk e duam këtë Maqedoni që na përgjon dhe që përgjimet tona i përdor për kalkulime politike.

Nuk e duam këtë Maqedoni ku njëra palë na përgjon, ndërsa pala tjetër i fsheh përgjimet që kanë të bëjnë me të vërtetën e diskriminimit tonë.

Nuk e duam këtë Maqedoni që me emrin dhe të gjitha simbolet e saj është vetëm maqedonase.

Nuk e duam këtë Maqedoni që me gjithë sistemin e saj shtetëror është në shërbim vetëm të kombit maqedonas.

 

Ne jemi lodhur prej kësaj Maqedonie.

Jemi lodhur duke pritur që maqedonasit të reflektojnë.

Ne jemi të zhgënjyer krejt edhe nga përfaqësuesit tanë të deritanishëm shqiptarë që vetëm u kanë shërbyer maqedonasve për ta realizuar këtë diskriminim.

Ne jemi zhgënjyer prej atyre që duan vetëm t’i lidhin flamurët shqiptarë dhe maqedonas, ndërsa vazhdojnë t’i trajtojnë shqiptarët si pronë të maqedonasve.

Ne jemi mërzitur më duke mos e ditur saktë se çka jemi ne në Maqedoni: dikush na quan pakicë, dikush bashkësi etnike, dikush na dëshiron vetëm si qytetarë, ndërsa askush nuk na do si shqiptarë. Mjaft më! Nuk duam më këso Maqedonie!

 

Ne jemi të pikëlluar që gjysmë milioni shqiptarë të këtij vendi tash bredhin rrugëve e lagjeve të botës, sepse ky shtet gjithnjë i ka trajtuar si mish i egër. Cili është faji jonë? A jemi ne fajtorë që kemi lindur nga prindër shqiptarë?

 

Të respektuara motra e vëllezër!

Me gjithë këtë gjendje të vështirë, me gjithë këtë qasje antishqiptare, me gjithë këtë vasalitet të disa politikanëve shqiptarëve ndaj maqedonasve, bile me gjithë tradhtinë e tyre, përsëri ju them se ka shpresë. Asgjë nuk ka përfunduar. Bile tek tash sa ka filluar. Tek tash do ta marrë vesh Nikolla Gruevski, Gordana Jankullovska, por edhe Ali Ahmeti, se nuk mund të tallen më me ne.

 

Prandaj jemi sot këtu që t’ju tregojmë atyre dhe të gjithë të tjerëve që duan e që nuk duan të dëgjojnë e të kuptojnë se ky shtet ose do të bëhet i përbashkët ose i askujt.

Ne nuk do ta durojmë më diskriminimin.

Nuk do ta durojmë më burgun dhe padrejtësinë.

Nuk do ta durojmë më skllavërinë dhe varfërinë.

Nuk do ta durojmë më shpërnguljen dhe nënçmimin.

 

O e marrim atë që na takon o askush nuk do ta gëzojë këtë shtet. O Maqedonia do të bëhet shtet i barabartë i të gjithëve që jetojnë këtu o askush nuk do të jetë më i lumtur këtu.

 

Prandaj, të dashur shqiptarë, prej këtij vendi dhe nga ky moment dëshirojmë të dërgojmë një porosi: NJË DITË PATJETËR DO TË BËHET MIRË PËR TË GJITHË.

 

Për dallim prej Martin Luter Kingut që e kishte ëndërr, ne jemi të sigurt se Maqedonia një ditë do të jetë shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonasve.

Ne jemi të sigurt dhe fort të bindur se nuk ka asnjë forcë që na ndalon këtë.

Jemi të bindur se vetëm një Maqedoni e ridefinuar si shtet konsesual i shqiptarëve dhe maqedonasve është zgjidhja e vetme dhe që ky shtet të mbijetojë.

Jemi të bindur se ridefinimi i Maqedonisë si shtet i lirë, demokratik dhe i drejtë është në të mirë të të gjithëve në Maqedoni.

Jemi koshient se vetëm një prokurori dhe gjyqësi e ridefinuar mbi parimin e drejtësisë nuk do të prodhojë padrejtësi dhe diskriminim.

Jemi të ndërgjegjshëm se ridefinimi i sigurisë së këtij shteti është në të mirë të të gjithëve në këtë vend.

Jemi të vetëdijshëm se vetëm një ridefinim i saktë i këtij shteti, në kushte të paqes, pa presionin e krismave dhe me vullnetin e lirë të maqedonasve dhe shqiptarëve, është rruga e vetme e suksesit.

Jemi të sigurt se Maqedonia mund të jetë e suksesshme vetëm në aleancë me shqiptarët në vetvete dhe me shqiptarët si fqinj të mirë. Sepse ne shqiptarët jemi garantuesit e paqes në Maqedoni, por edhe në rajon.

Ne e dimë mirë se Maqedonia mund të bëhet shtet funksional vetëm nëse e pranon faktin se në këtë shtet një e treta janë shqiptarë dhe këtë e reflekton në ndërtimin e shtetit.

Ne jemi të bindur se një ditë kjo ide do të ngadhënjejë, por sinqerisht nuk duam të presim gjysmë shekulli që maqedonasit ta kuptojnë këtë.

 

Të dashur dhe të nderuar shqiptarë,

Duke u nisur nga gjithë kjo, jemi të bindur se nuk është larg ajo ditë kur presidenti i Maqedonisë do të jetë shqiptar dhe askush nuk do të befasohet me këtë.

Ne jemi të bindur se nuk është larg ajo ditë kur një shqiptar i Tetovës do ta shesë mallin e tij në Vallandovë dhe nuk do të ketë frikë të flasë shqip.

Ne e dimë mirë se nuk është larg dita kur edhe maqedonasi i Strumicës do të vijë në Gostivar të shesë domate dhe me gostivarasit do të përshëndetet shqip.

Ne jemi të bindur se nuk është larg ajo ditë kur nuk do të kesh dert të ecësh në Çarshinë e Manastirit dhe të flasësh shqip.

Ne jemi të bindur se nuk është larg ajo ditë kur në Tetovë do të jehojë edhe kënga “Zajdi zajdi” dhe kjo për askënd nuk do të jetë problem, siç nuk do të jetë problem edhe kënga shqipe në Shtip.

Ne jemi të sigurt se nuk është larg ajo ditë kur fëmijët e këtij vendi nuk do të ndjehen më fajtorë që kanë lindur nga prindër shqiptarë, por edhe turq, romë, serbë, boshnjakë ose vllahë.

Ne jemi të bindur se nuk është larg ajo ditë kur disa politikanë të sotëm do të turpërohen që na kanë quajtur “shqiptari” e “indianci”.

Jemi të bindur se nuk është larg ajo ditë kur nxënësit shqiptarë, maqedonas, romë dhe turq do të mësojnë në shkolla të njëjta, pa u frikësuar mes vete, por edhe me kushte të njëjta dhe pa asnjë diskriminim.

Ne jemi të sigurt se nuk është larg ajo ditë kur të gjithë do të qeshemi me atë që ka qenë në Maqedoni njësoj siç qeshen sot qytetarët e Amerikës që dikur gjyshërit e tyre kanë qenë racistë.

 

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi jonë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojnë së bashku, t’i lutemi Zotit së bashku dhe të ngrihemi në emër të lirisë së bashku, duke qenë të sigurt se ne një ditë do të jemi të lirë.

 

Prandaj, të dashur shqiptarë, po e përfundoj këtë fjalim duke ua kujtuar juve që jeni këtu dhe të gjithë atyre që do ta ndjekin këtë fjalim kudo.

Sot shqiptari i Maqedonisë po e merr në dorën fatin e tij. Sot shqiptari i Maqedonisë e shqiptoi drejt e saktë se nuk ka nevojë për vasalë të hipotekuar që do ta përfaqësojnë atë. Shqiptari i Maqedonisë nuk ka më nevojë për politikanë që mezi i ndërrojnë dy emra shkollash.

Shqiptari i Maqedonisë nuk është më jetim. Ai nuk është qenie kulturore që mashtrohet me “Rroka mandolinën”, por është qenie politike që e do po atë që edhe maqedonasit e duan për veten e tyre. Shqiptari i Maqedonisë nuk do të jetë më as i poshtëruar e i nënçmuar. Ai do të jetë krenar që është shqiptar. Ndryshe askush nuk do të mund të jetë krenar në këtë vend.

 

Po e përfundoj fjalën time duke ju bërë thirrje që mos ta humbni shpresën dhe mos të dëshpëroheni. Liria, drejtësia dhe barazia patjetër të vijnë një ditë. Ne nuk duam të bëjmë pazar me hisen tonë që të mund të jetojmë si njerëz në këtë shtet.

Prandaj, që këtu e bëjmë thirrjen e fundit për këtë shtet: ne jemi shqiptarë dhe patjetër të na pranoni kështu!

 

Ju faleminderit!

 

 

Afrim Gashi

 

 

Shkup, 13.06.2015

 

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar