Fjalimi i Kryetarit të Lëvizjes BESA Afrim Gashi, në komisionin për çështje europiane

Fjalimi i Kryetarit të Lëvizjes BESA Afrim Gashi, në komisionin për çështje europiane
Loading...

Fjalimi i plotë i Kryetarit të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, në komisionin për çështje europiane

 

Në lidhje me raportin që Komisioni Europian e publikoi para disa ditëve, së pari dua të shpreh kënaqësinë time dhe të Lëvizjes BESA, që ne si shtet morëm rekomandim për fillimin e negociatave për aderim në BE. Ashtu siç u deklaruam edhe për opinionin, këtë e shohim si kontribut të përbashkët gjithëshoqëror, pra meritë e të gjithë qytetarëve, ndërsa – përveç rolit të rëndësishëm që e ka luajtur qeveria dhe shumica parlamentare – i rëndësishëm ka qenë edhe roli i opozitës, në këtë rast edhe i Lëvizjes BESA, që – ndoshta për herë të parë në historinë e pluralizmit në vend – nuk ka pasur qasje nihiliste dhe refuzuese ndaj propozimeve të qeverisë dhe shumicës, por i ka mbështetur të gjitha propozimet që kanë ardhur në agjendën reformuese.

Por, fakti që ne kemi marrë rekomandim të pakushtëzuar, më shumë se shpërblim dhe mirënjohje, është përgjegjësi për rrugën që na pret. Me këtë rast dua të vë re, se është e vërtetë se në shumicën e fushave janë dhënë vlerësime pozitive, por ka pika të cilat janë shënuar edhe me nota kritike dhe ne nuk duhet t’i mbyllim sytë para tyre. Nëse duam që këtë rrugë të vazhdojmë ta trasojmë edhe më tej, ne duhet t’i marrim seriozisht ato vërejtje dhe të flasim hapur për tejkalimin e tyre. Për këtë arsye, do të doja që në raportin e ardhshëm ne të kemi bërë progres edhe në fushat që në këtë raport janë shënuar me vërejtje, siç është kohezioni brenda në Kuvend, pastaj lufta kundër korrupsionit, sundimi i shtetit të së drejtës, si dhe lufta kundër krimit të organizuar. Gjithashtu do të doja të kemi rezultate edhe në depolitizimin dhe profesionalizimin e administratës, por edhe në deetnizimin dhe depolitizimin e sistemit gjyqësor. Mendoj se rruga në të cilën jemi futur tashmë nuk na lejon të bëjmë gabime që mund të jenë bërë në të kaluarën.

Sigurisht se ajo që është më e rëndësishme nga aspekti i qytetarëve është veçanërisht mirëqenia ekonomike e qytetarëve. Për fat të keq, shifra e papunësisë në Maqedoni është mjaft e lartë, ndërsa dëshpëruese është shuma e rrogës mesatare. Kjo gjendje ekonomike sigurisht e ka ndihmuar shpërnguljen e popullsisë, që edhe në raporte të tjera theksohet si problem serioz.

Lëvizja BESA, duke qenë një subjekt politik me orientim properëndimor, kërkon që – tash kur kemi bërë kaq hapa të rëndësishëm – edhe Bashkimi Europian ta vlerësojë edhe më shumë synimin dhe përpjekjen tonë të mundimshme që t’i përmbushim detyrimet për t’u bërë anëtarë të plotë të asaj familje.

Qytetarët e vendit tonë janë lodhur më duke pritur dhe në kohën që u vihen afate të largëta, ato u duken si përpjekja e Marathonomakut në antikitet, i cili nuk dorëzohet, por lodhet përtej fuqive të tij. Ne dëshirojmë dhe presim që bisedimet për aderim në BE të jenë më të suksesshme dhe të mbyllen më shpejt. Sepse fundja edhe aderimi në BE nuk duhet të synohet për shkak të vetë aderimit, por për shkak të mirëqenies së qytetarëve. Ndërkaq qytetarët – përkundër dallimit me pushtetin e regjimit të kaluar, për hir të së vërtetës, presin më shumë nga të gjithë ne.

Megjithatë shpresojmë të bëhet më mirë dhe ne do të jemi këtu që të ndihmojmë gjithnjë dhe gjithherë kur të gjykojmë se jemi duke vepruar në interes të qytetarëve të vendit tonë.

 

Ju faleminderit!

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar