Kukësi kthehet tek fitorja pas 4 javësh, mposht Laçin 1-0

Kukësi kthehet tek fitorja pas 4 javësh, mposht Laçin 1-0
Loading...

Kukësi është rikthyer të fitojë pas 4 takimesh, teksa ka mposhtur Laçin me rezultatin minimal 0-1. 90-minutëshi i parë i javës së 13 të Superligës, ka qenë vërtetë spektakolar dhe protagonist kanë qenë laçjanët e Gentian Mezanit, që zhvilluan një takim mjaft intensive. Vendasit dominuan totalisht sfidën dhe bënë gjithçka në perfeksion, përveç atij më të rëndësishmit, golit. Nga ana tjetër, Kukësi u mundua të menaxhojë avantazhin e shpejtë, ndërsa tentonte të sulmonte herë pas here me kundërsulm.

Skuadra e Milinkoviçit gjeti menjëherë avantazhin, me anë të kapitenit Shameti, në minutën e 3-të. Gjirokastriti shfrytëzoi më së miri një krosim të ardhur në zonë nga këndi, dhe pasi i shpëtoi mbulimit të kundërshtarit, goditi me kokë dhe gjeti rrjetën e portierit Selmani. Ky gol e ndezi sfidën, me vendasit që u hodhën në sulm, në kërkim të golit të barazimit dhe veri-lindorët që kundërsulmonin rrezikshëm. Laçjanët krijojnë disa mundësi të mira, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë, kanë rastin më të mirë për të barazuar, por braziliani Ekskerda gjuan jashtë penalltinë e akorduar nga kryesori Meta.

Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën tablo, me skuadrën e Mezanit që sulmon pareshtur, ndërsa kuksianët kundërsulmojnë shpejt. Portieri Koliçi u bë disa herë vendimtar për skuadrën e tij, ndërsa në krahun tjetër, Selmani ndali mrekullisht një goditje të sulmuesit Guri. Në minutat e fundit, heroi i takimit, Shameti, për pak sa nuk ndëshkoi skuadrën e tij, pasi devijoi tmerrësisht keq një top të ardhur në zonë, që për pak përfundoi në rrjetën e Koliçit.

E nëse në fushë u luajt një takim spektakolar, nga ata që rrallë i shohim në Superligë, në shkallët e stadiumit u vu re një sjellje krejtësisht e papranueshme dhe për t’u dënuar, e tifozëve laçjanë. Krahas të sharave në kor, që janë në modë në stadiumet shqiptare, tifozët vendas nuk u kursyen as me hedhjen e sendeve në fushë, teksa fillimisht goditën mbrojtësin e djathtë të Kukësit, Bujar Idrizin dhe më pas sulmuesin brazilian Elton Kale. Këto veprime pritet t’i kushtojnë rëndë skuadrës së Laçit, që rrezikon të luajë disa takime pa praninë e tifozërisë.

Me këtë fitore, Kukësi merr përkohësisht vendin e dytë, në pritje të takimit mes Flamurtarit dhe Teutës, që do të startojë në orën 17:00 dhe do të transmetohet në Supersport 3.

25 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Sport

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar