Kur Musolini dashurohej me Ida Daslerin

Kur Musolini dashurohej me Ida Daslerin
Loading...

Bruno Vespa

Ida Dasler nisi të frekuentonte rrethet e larta dhe shumë shpejt u ndesh me drejtorin e ri të “Avanti-t!”. Për Musolinin qe e pamundur të mos provonte të joshte cilëndo grua që takonte dhe malësorja e butë me theksin francez ra në krahët e tij. Ai u dashurua tërbimshëm pas saj: e takonte çdo pasdite dhe, para takimit të së nesërmes, Ida merrte letra dashurie plot pasion. Sa femra mund të mos i dorëzoheshin? Dashuria kaq skllavëruese për Dalserin e bëri Beniton ta harronte lidhjen me Rakelen, tanimë të konsumuar me pesë vite dhe, prej tri vitesh të konsoliduar me lindjen e një vajze, Edës.

Në 1914-ën, për rreshtimin e tij të vendosur pro ndërhyrjes së Italisë në Luftën e Parë Botërore, Musolini u përjashtua nga Partia Socialiste dhe e hoqen nga drejtimi i gazetës “Avanti!” Atëherë ishte Ida ajo që e mbajti me gjithcka. Në mbledhjen më dramatike të partisë, ajo bëri tifozllëk për Beniton, e ngatërruar mes publikut, duke arritur deri aty sa të gjuante me shuplaka këdo që e kundërshtonte. Ida bëri për Beniton atë që bën Violeta për Alfredon tek opera Traviata: e mikpriti në shtëpinë e vet, dhe nuk hezitoi që fillimisht të shiste sallonin e saj të bukurisë, madje pastaj të linte peng edhe mobiliet. Për Duçen ajo u rrënua lumturisht, e bindur se ai do të martohej me të. Po ai, a e mori për grua? Ka të ngjarë që po. Studiuesi Pieroni, mbi bazën e disa dëshmive, si ajo e dom Luixhi Pedrolit, famullitari i Sopramontes, është i bindur se martesa u celebrua dhe dokumenti u zhduk nga regjistrat e famullisë dhe të bashkisë së qytezës në 1925-ën nga disa hierarkë fashistë.

Një provë e mundshme e celebrimit të martesës (ose gjithsesi e faktit që Musolini sillej sikur Dalser ishte e shoqja) u dha kur Benito u nis për luftë, më 31 gusht të 1915-ës. Në vitet ’50 Pieroni zbuloi një dokument të kryetarit të bashkisë së Milanos në të cilën dëshmohej se “familja e ushtarakut Benito Musolini përbëhet nga e shoqja, Ida Dasler, dhe nga një djalë. Në të vërtetë djali i çiftit lindi vetëm në 11 nëntor të po atij viti. Pra ka mundësi që Musolini të ketë deklaruar se kishte një bashkëshorte (të vërtet apo të supozuar?) dhe një djalë (ende të palindur) për të siguruar një ndihmë të vogël për gruan e shkretë shtatzënë.

Kur Ida i shkroi Benitos se kishte vendosur ta pagëzonte fëmijën me emrin e të atit dhe të gjyshit nga nëna, Benito Albino, nuk mori përgjigje. Në këmbim mori një telegram nga drejtori i spitalit ushtarak të Trevilios: “Bersalier Musolini është shtruar këtu i prekur nga verdhëza katarrale”. E shkreta grua, rendi të takonte të shoqin (të shoqin?) me Beniton e vogël në krahë. Mbërriti në Trevilio në 18 dhjetor dhe mori premtime dashurie të përjetshme. Por, një ditë më parë, Musolini ishte martuar me rit civil në të njëjtin spital me Rakelen, që priste prej tij një djalë të dytë, Vitorion.

Siç qe e shkruar, të dyja gratë u takuan pikërisht në Trevilio. Ja rrëfimi i Rakeles: “Një mëngjes, teksa shkoja ta takoja u gjenda përballë një gruaje brune, me pamje imponuese, por jo tërheqëse. Në fillim nuk e njoha se ishte Dalser-i, por ajo, mua më mbante mend fare mirë. Në dhomën ku gjendej im shoq më sulmoi duke më ulëritur: ‘Jam unë gruaja e Musolinit, dhe vetëm unë kam të drejtë t’i rri pranë’. Ushtarët e pranishëm zbaviteshin pa masë. Atëherë shpërtheva, iu vërsula… dhe duke i futur duart në fyt nisa ta shtrëngoja. Nga shtrati i tij, si një mumje e mbështjellë me garza, që e pengonin të bënte edhe lëvizjen më të vogël, Benito mundohej të ndërhynte. Madje u hodh nga krevati për të na ndalur. Për fat disa mjekë dhe infermiere ndërhynë, përndryshe besoj se do ta kisha mbytur. Në fund Dalseri ia mbathi, ndërsa unë ia plasa të qarit”.

Ida Dalser dhe Benito i vogël, të shëndetshëm mendërisht, vdiqën në çmendinë

Një muaj më pas, në janar të 1916-ës, Musolini e njohu Benitinon si birin e tij pikërisht në një studio ligjore milaneze dhe deklaroi se, në momentin e lindjes së të voglit, ai nuk ishte bashkuar me asnjë grua ne martesë. Në këtë mënyrë kërkoi t’i jepte fund marrëdhënies me Idën, pa i marrë me mend tragjeditë që do t’i përndiqnin. Dalseri, dhe kjo mund të kuptohet, nuk u dorëzuar asnjëherë që Benito e hoqi qafe. Një ditë iu shfaq në derë Rakeles: “Një grua e çuditshme, shumë më e plakur se unë, me një shëmbëllim si skërfyell dhe me sjellje të turbullta. Kërkoi të vizitonte apartamentin, iu afrua vogëlushes Eda dhe e pyeti: ‘Po babai të do?’”.

Musolini ishte një njeri që hante me dy lugë. Pasi e njohu Beniton e vogël, e rregulloi Idën në një hotel të mirë në qendër të Milanos, duke harruar mandej të paguante llogarinë. Gruaja e paditi duke pretenduar se ishte joshur, por gjykatësi kundërshtoi se jeta e saj pariziane e kishte transformuar nga një vajzë të përkorë fshati në një zonjë të bredhur, plotësisht në gjendje të kujdesej për veten. Donte s’donte, Musolini u dënua të derdhte një shifër të konsiderueshme për mbajtjen e të birit: 200 lireta në muaj. Të cilat, edhe në këtë rast, Duçja i ardhshëm harroi t’i paguante, aq sa disa vite më pas, në 1921, një oficer gjyqësor u prezantua në Monteçitorio (Musolini ishte bërë deputet) duke kërkuar marrjen e detyrimeve të prapambetura.

Marrëdhëniet mes Idës dhe Benitos u bënë çdo ditë e më të stuhishme. Gruaja hapi fjalë se Musolini në 1914-ën ishte bërë intervencionist sepse kish marrë financime të konsiderueshme nga qeveria franceze. Në fakt, siç kujton Pieroni, më 17 janar të po atij viti drejtori i gazetës “Avanti!” kishte takuar në Gjenevë ish-Kryeministrin francez, Joseph-Marie Caillaux, i cili i kish dhënë 1 milionë lireta. Shuma qe derdhur në Bankën Jarach, nga e cila tërhiqeshin 200 liretat e përmuajshme për mbajtjen e të voglit Benito, derisa Musolini vendosi ta shlyejë borxhin e tij. Më 19 janar të 1925-ës fëmijës iu caktua një kapital prej 100 mijë liretash të depozituara në Shtëpinë e Kursimit në Trento dhe Rovereto nga e cila përfitonte një përqindje vjetore prej 5 për qind, që u administrua nga Adelina dhe Rikardo Paiçer, përkatësisht motra dhe kunati i Idës.

Në 1926-ën këmbëngulja e gruas për ta ndjekur kudo këmba-këmbës atë që tanimë ishte bërë kreu i qeverisë, e shtyu Musolinin ta internonte në një çmendinë.

Por fillimisht, mjekët e nxorën, duke e parë krejt të shëndoshë mendërisht, por më pas, të tjerë doktorë pranë Partisë Fashiste autorizuan shtrimin e përhershëm: natën mes 19 dhe 20 qershorit të 1926-ës Ida u ndalua me urdhër të kuestorit të Trentos. Ishte 43 vjeç.

Fill pas luftës, Pieroni, asokohe gazetar i ri nga Trento mësoi nga disa dëshmitarë të mbijetuar se Ida Dasler nuk vuante nga asnjë shqetësim psikik. E megjithatë, asaj iu ndalua çfarëdolloj kontakti me botën e jashtme, kështu që iu deshën tre vjet që me anë të një dredhie, t’u përcillte një letër të afërmve, të cilët e kishin të ndaluar ta takonin. Në 1929-ën arriti t’i dërgonte Musolinit një letër ngashëruese: “Zoti Duçe….Hajde, çohu nga letargjia që po të zë frymën, shpëtoje gjaku tënd së paku. Dikur nuk ishe njeri i ulët…. Më premtoje mirënjohje të përjetshme, se një ditë do të më mbuloje me xhevahire, se do të më bëje gruan që do ta kishin më shumë zili në tërë Italinë. Ja pra më në fund…. i mora dhuratat e tua! Për djalin tim, për djalin tënd, një shkollë riedukimi, për nënën e tij një çmendinë tejet vulgare….”. Kjo është letra e një gruaje të dëshpëruar, jo e një të marre.

Idës u desh të priste shtatë vjet për të takuar në 1933-in të afërmit e saj. Dy vjet më pas ia doli t’ia mbathte nga çmendina duke u lëshuar me çarçafët e lagur nga dritarja, pasi shkuli hekurat e saj. E arrestuar përsëri, tanimë e ronitur fizikisht dhe shpirtërisht, Ida vdiq mbrëmjen e 1 dhjetorit 1937. Ishte 54 vjeç, djali i saj Benitino 22.

Mbi fatin e mëtejshëm të djalit, nuk ekzistojnë burime për t’i marrë në konsideratë. Edhe Renco de Feliçe, që jetës së Musolinit i ka kushtuar shtatë volume të një biografie themelore, nuk flet për të. Ndaj duhet të kufizohemi duke pohuar sa shkruan Pieroni, i cili citon dokumentet origjinale. Kur e ëma vdiq, Benito kish arritur moshën madhore dhe mund të përfitonte kapitalin prej 100 mijë liretash të derdhur dymbëdhjetë vite më parë nga i ati, me një rentë vjetore – siç thamë – prej 5 për qind. Pieroni pohon se i riu nuk e mori kurrë atë shumë të hollash, e cila veç të tjerash humbi pa nam e nishan. Pak kohë pasi i ishte caktuar renta, në fakt është tentuar t’ia anulojnë. Sipas Pieronit, kuestori i Trentos, thirri Rikardo Paiçerin duke i propozuar të nënshkruante një dokument sipas të cilit hiqte dorë nga kujdestaria mbi të nipin (pra dhe nga administrimi i rentës) në favor të një funksionari të administratës publike. Paiçer-i refuzoi, dhe atëherë ndodhi një ngjarje e pabesueshme: djali u rrëmbye nga dy funksionarë të kuesturës dhe fillimisht u mbyll në “Spitalin e të braktisurve” në Sant’Ilario, pranë Roveretos, dhe më pas u transferua në një kolegj elegant të Monkalierit në Piemonte.

Për ta larguar përfundimisht Benitinon nga e ëma dhe të afërmit, prefekti dhe kuestori i Trentos morën një vendim drastik: ta mbyllnin edhe atë në një çmendinë. “Një spital psikiatrik nuk shërbente për t’i shëruar të sëmurët mendorë”, shkruan Pieroni “por ishte shumë i përshtatshëm, që me kalimin e viteve dhe masat e duhura të luante mendsh edhe një njeri të shëndoshë.” Kësisoj djali i Musolinit përfundoi në një çmendinë në Mombelo, pranë Milanos. Thuhet se iu nënshtrua insulinoterapisë dhe elektroshokut, se ra në koma nëntë herë, se druhej mos e vrisnin ndaj edhe u çmend. Fakt është që më 26 gusht të 1942-it, në moshën 26 vjeçare, Benitino fluturoi në qiell për të takuar nënën e tij fatkeqe.

Ida Dalser vdiq një vit pas ndarjes përfundimtare të Musolinit nga një tjetër prej dashnoreve të tij historike, Margerita Sarfatit. Ajo, siç dihet qe shumë më jetëgjatë krah tij, përderisa i qëndroi pranë për tetëmbëdhjetë vjet, nga 1918 deri në 1936, duke ushtruar ndaj Benitos një ndikim tepër të fortë politik dhe intelektual.

Përktheu Beti Njuma

22 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Kulturë

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar