Ai i bëri komentet në iftarin që shtroi bashkarisht me strukturat e PDSH-së, kryesinë, drejtues të degëve dhe nëndegëve si si dhe me përfaqësues të mediave.

“E keqja e shqiptarëve është Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim”-tha opozitari Thaçi, sikurse raportoi agjencia “zhurnal”.

Zoti Thaçi mbështeti protestat e dy ditëve të fundit si një të drejtë themelore, por kërkoi mbajtjen e besimit tek aleatët:

“Edhe një herë ju themi se ne i mbështesim protestat mirëpo ne jemi edhe koka intelektuale dhe racionale. I lus të gjithë shqiptarët mos ta humbin shpresën tek procesi demokratik dhe mos ta humbin shpresën tek aleatët tanë Bashkimi Europian, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”

Protestat u organizuan kundër dënimit nga Gjykata Themelore me burgim të përjetshëm pesë shqiptar të akuzuar për vrasjen e katër maqedonasve në liqenin Smilkovc pranë Shkupit, i njohur ndryshe si rasti “Mostra”.

Gjatë protestave u lënduan sëpaku 30 persona, civilë dhe policë, ndërsa njesitet speciale policorë ushtruan kontrolle dhe bastistje në shtëpitë e shqiptarëve në Çair.