Tiranë, simpozium shkencor nga ALSAR për marrëdhëniet shqiptaro-turke

Tiranë, simpozium shkencor nga ALSAR për marrëdhëniet shqiptaro-turke
Loading...

TIRANË (AA) – Simpoziumi shkencor me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-turke”, ka mbledhur në Tiranë studiues nga Shqipëria dhe Turqia, të cilët kanë trajtuar disa aspekte të këtyre marrëdhënieve, raporton Anadolu Agemcy (AA).\

Në simpoziumin e organizuar nga Fondacioni ALSAR janë trajtuar disa tema, si marrëdhëniet shqiptaro-turke në periudhën e viteve 1923-1938, Shqipëria në politikën ballkanike të Turqisë, konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi, problemet që ka hasur Shqipëria që prej viteve 90-të e deri në ditët e sotme dhe roli i Turqisë dhe çështje të tjera. I pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili në fjalën e tij përshëndetëse tha se Ballkani ka një rëndësi të madhe për Turqinë dhe shqiptarët dhe Shqipëria janë një ndër kolonat bazë të Ballkanit, të paqes dhe stabilitetit.

“Marrëdhëniet tona me Shqipërinë kanë një të kaluar të shkëlqyer dhe me rrënjë të thella më shumë se gjashtëshekullore. Është e qartë se shqiptarët kanë vulën e tyre në historinë tonë të përbashkët, në art, letërsi, në institucionet shtetërore dhe në botën akademike. Janë bërë element bazë i osmanëve. Ne mendojmë se një Shqipëri e qëndrueshme dhe e begatë, është në interes të Turqisë. Pas periudhës komuniste, marrëdhëniet tona me Shqipërinë kanë regjistruar përparime të mëdha në të gjitha fushat, si politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore”, theksoi ambasadori turk. Duke folur për organizatën terroriste FETO, Yörük tha se “Zgjatime me pamje ligjore dhe persona që i përkasin kësaj organizate vazhdojnë praninë e tyre në Shqipëri. Që nga viti 1991 kjo organizatë terroriste tradhtare ka hedhur këtu rrënjë në arsim, shëndetësi, institucionet fetare dhe në sektorin privat. Ne mendojmë se kjo organizatë përbën një rrezik të qartë edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, të cilën ne e shikojmë si një vend mik dhe vëlla. Është e nevojshme që territori shqiptar të pastrohet nga elementët dhe personat e FETO-s që përbëjnë kërcënim për Turqinë, që ushqejnë armiqësi ndaj saj dhe kjo në të njëjtën kohë është në interes edhe të Shqipërisë”.

Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, gjatë fjalës në ceremoninë e hapjes së simpoziumit theksoi se marrëdhëniet historike midis dy shteteve janë zhvilluar pandërprerë, shtrirë në një periudhë të gjatë kohe. Ajo tha se “Marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë zënë një vend të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Ne i kemi vlerësuar gjithmonë kulturën dhe traditën turke, vlera të së cilës ne i kemi të trashëguara brez pas brezi. Nga ana tjetër, në fushën diplomatike këto marrëdhënie janë zhvilluar në kontekst me interesa strategjike të dy shteteve. Republika e Turqisë është një partner strategjik i vendit tonë.” Kryetari i Fondacionit Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), Mehdi Gurra, në fjalën e tij në ceremoni u shpreh se ashtu si në të shkuarën, Turqia i është gjendur gjithmonë pranë Shqipërisë në këto thuajse tre dhjetëvjeçarë, që me rënien e sistemit totalitar.

“Historia shpesh e përbashkët, mënyra e ngjashme e jetesës, filli i përbashkët religjioz, lidhjet e ndërsjella familjare, komunikimi i vazhdueshëm dhe i dendur, lidhjet ekonomike dhe kulturore, janë një ushqim i pashtershëm për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke. Marrëdhëniet shqiptaro-turke vlerësohen si vëllazërore dhe të konkretizuara në praktikë me një shumëllojshmëri bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe mbrojtjes. Qeveria aktuale shqiptare e ka çmuar dhe vijon ta çmojë në politikën e vet të jashtme Turqinë si një partner strategjik”, tha Gurra. Në simpozium ishin të pranishëm zyrtarë të institucioneve shqiptare, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, drejtues të bashkive në vend, historianë, diplomatë, dhe të ftuar të tjerë.

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar